"Gjatë hartimit të raporteve të reja, përgjatë periudhës Janar - Mars 2020 do të dalin çështje e shqetësime, të cilat kanë nevojë të adresohen drejt, në mënyrë të shpejtë dhe të koordinuar nga shumë aktorë profesionalë e rregullatorë.Padyshim, rol parësor ka Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit (KKK), i cili është riformatuar së fundmi dhe për të kjo është sfida e radhës."
Duke nisur nga 1 janari 2019, ndryshime të reja u aplikuan në fushën e kontabilitetit, pas miratimit të ligjit nr. 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”. Prof. dr. Hysen Çela, ekspert kontabël dhe partner menaxhues në Croëe AL sh.p.k, pohon në një intervistë për ‘Monitor’ se duhet të presim të paktën tremujorin e parë të vitit 2020, që është edhe afati kur duhet të përfundojë përgatitja e raporteve, për të dhënë një panoramë të ndikimit të ligjit dhe pasojave. “Ndonëse nuk ka informacione të mjaftueshme në lidhje me nivelin e përgatitjes paraprake të etiteteve të biznesit dhe të organizatave jo fitim prurëse, apo për punën e bërë prej tyre për ndryshimin e praktikës së regjistrimit të informacioneve dhe për përgatitjen e raporteve, në funksion të pajtueshmërisë me kërkesat e ligjit të ri të kontabilitetit, mendoj së përsëri problem kryesor mbetet mosnjohja sa duhet e kërkesave të ligjit, dhe mungesa e standardeve të raportimit, pa përjashtuar këtu edhe shkallën e përgatitjes së hartuesve të raporteve, për të cilët kjo përbën sfidë, pasi pjesa më e madhe e tyre nuk kanë qenë të përfshirë më parë në hartimin e raporteve jo-financiare.,“ thotë prof. Dr. Çela. Ai shton, se një çështje me jo pak rëndësi dhe që mund të krijojë probleme të mospajtueshmërisë së plotë me kërkesat e ligjit, në lidhje me raportet jofinanciare, është edhe klasifikimi i entiteteve me interes publik, sipas VKM nr.17 datë 16.01.2019, “Për përcaktimin e shoqërive të tjera shtetërore ose private, të rëndësishme për interesin e publikut, për shkak të natyrës së biznesit, madhësisë ose numrit të punëmarrësve të tyre”. Sa i përket ecurisë gjatë këtij viti, prof. Dr. Çela thotë se gjatë vitit 2020 do të nisë një kthesë e rëndësishme duke kaluar nga shërbimet e pajtueshmërisë e të regjistrimeve tradicionale kontabël, në shërbime të tjera cilësore me natyrë interpretuese e që shtojnë vlerë për biznesin.
Sic dihet, Ligji i ri për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare, ka hyrë në fuqi me datën 1 janar 2019. Kjo nënkupton që pasqyrat financiare dhe të gjithë raportet e tjera jo financiare të parashikuara për t’u përgatitur e publikuar nga entitetet e biznesit, duhet të jenë në pajtim me këtë ligj. Për të shprehur një mendim të qarta për atë çka ka sjellë në të vërtetë hyrja në fuqi e këtij ligji, duhet të shikojmë pikërisht këto raporte financiare dhe jo financiare. Megjithatë, sikurse e kam theksuar edhe në një intervistë të mëparshme, ndryshimet ligjore dhe efektet do të ndjehen drejtpërdrejt dhe kryesisht në shoqëritë e mëdha tregtare, të cilat janë të detyruara të hartojnë dhe të publikojnë, krahas pasqyrave financiare, sipas disa kritereve plotësisht të përcaktuara, sipas rastit, edhe raporte të tjera jo financiare, siç janë për shembull, raporti i ecurisë së veprimtarisë, raporti i drejtimit të brendshëm, një raport vjetor për pagesat që u bëhen institucioneve shtetërore, një raport të konsoliduar të ecurisë së veprimtarisë, etj. Këto detyrime për përgatitjen e raporteve jo-financiare shtrihen edhe në disa organizata jofitimprurëse. Megjithatë, për të vlerësuar së sa të përgatitura kanë qenë entitetet e biznesit për t’iu përgatitur kërkesave të ligjit, duhet të presim të paktën tremujorin e parë të vitit 2020, që është edhe afati kur duhet të përfundojë përgatitja e raporteve, të cilat para së të publikohen në faqet e internetit të shoqërive tregtare, apo përmes Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), duhet t’i nënshtrohen miratimit nga organet e drejtimit dhe të qeverisjes së shoqërive tregtare dhe kur përmbushen kërkesat e auditimit ligjor, edhe nga një auditues ligjor ose një shoqëri auditimi e pavarur.
Ndonëse nuk ka informacione të mjaftueshme në lidhje me nivelin e përgatitjes paraprake të etiteteve të biznesit dhe të organizatave jo fitim prurëse, apo për punën e bërë prej tyre për ndryshimin e praktikës së regjistrimit të informacioneve dhe për përgatitjen e raporteve, në funksion të pajtueshmërisë me kërkesat e ligjit të ri të kontabilitetit, mendoj së përsëri problem kryesor mbetet mosnjohja sa duhet e kërkesave të ligjit, dhe mungesa e standardeve të raportimit, pa përjashtuar këtu edhe shkallën e përgatitjes së hartuesve të raporteve, për të cilët kjo përbën sfidë, pasi pjesa me e madhe e tyre nuk kanë qenë të përfshirë më parë në hartimin e raporteve jo-financiare. Një çështje me jo pak rëndësi dhe që mund të krijojë probleme të mospajtueshmërisë së plotë me kërkesat e ligjit, në lidhje me raportet jofinanciare, është edhe klasifikimi i entiteteve me interes publik, sipas VKM nr.17 datë 16.01.2019, “Për përcaktimin e shoqërive të tjera shtetërore ose private, të rëndësishme për interesin e publikut, për shkak të natyrës së biznesit, madhësisë ose numrit të punëmarrësve të tyre”. Sipas kritereve të këtij vendimi, është rritur shumë numri i shoqërive me interes publik, për rrjedhojë, pajtueshmëria me ligjin e kontabilitetit dhe raportimit financiar, do të çojë në rritje të kostove për bizneset, pasi përgatitja e raporteve jofinanciare do të kërkonte përfshirjen e profesionistëve të përgatitur e më eksperiencë. Sidoqoftë është për t’u përshëndetur iniciativa më e fundit e Ministrit të Financave për rishikimin e këtij vendimi, me qëllim që entitetet e tjera me interes publik të jenë shumë më të limituara dhe në pajtim me kërkesat e ligjit të auditimit dhe kriteret e klasifikimit që përdoren në BE. Mendoj së gjatë hartimit të raporteve të reja, përgjatë periudhës JanarMars 2020 do të dalin çështje e shqetësime, të cilat kanë nevojë të adresohen drejt, në mënyrë të shpejtë dhe të koordinuar nga shumë aktorë profesionalë e rregullatorë. Padyshim, rol parësor ka Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit (KKK), i cili është riformatuar së fundmi dhe për të kjo është sfida e radhës. Suksesi do të varet nga asistenca që do të japin organizata profesionale e audituesve ligjorë (IEKA), organizatat e tjera profesionale të kontabilistëve, dhe anëtarësia e tyre. Në mungesë të standardeve kombëtare të raportimit për informacionet jo-financiare, të cilat do të ndihmonin në qëndrushmërinë dhe krahasueshmërinë e informacioneve, mendoj së ka nevojë të organizohen takime e të jepen udhëzime praktike sa i përket jo vetëm formës së raportimit, por edhe përmbajtjes së raporteve. Në varësi të ecurisë së këtij procesi, mendoj se do të duhet të parashikohet një plan veprimi afatmesëm për hartimin e standardeve dhe trajnimin e hartuesve të raporteve. Për këtë qellim mund të shërbejë edhe faza e tretë e projektit të Bankës Botërore për përmirësimin e raportimit financiar (dhe jo financiar) në Republikën e Shqipërisë.
Natyrisht, unë vijoj të kem të njëjtin mendim për organizimin profesional në përgjithësi, ku roli kryesor duhet t`i takojë vetë-rregullimi dhe këtu nuk bën përjashtim as profesioni i ekspertit fiskal. Organizmi profesional ka nevojë të rregullojë veprimtaritë dhe sjelljen e anëtarëve të tij, për të garantuar që ata do të përmbushin detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre, të cilat shkojnë përtej klientëve apo punëdhënësve të tyre, pra ndaj publikut në përgjithësi. Rregullimi është një mjet efektiv për të garantuar cilësinë e shërbimit profesional dhe për të adresuar problemet e tregut për këto shërbime. Nga njëra anë, rregullimi adreson asimetrinë e informacionit përsa i përket njohurive në raportin klient/punëdhënës dhe profesionist kontabël dhe, nga ana tjetër, adreson edhe faktin që si rregull i përgjithshëm, përfitimet apo kostot e shërbimit profesional kalojnë direkt tek palët e treta, të cilat nuk janë palët që kanë kërkuar shërbimin. Një rregullim profesional efektiv duhet të jetë proporcional, jo-diskriminues, i orientuar, që zbatohet me koherencë dhe në mënyrë të drejtë dhe, natyrisht, ai duhet të rishikohet në vazhdimësi. E njëjta rrugë mendoj se vlen për çfarëdo profesion me bazë kontabël, pra rregullimi duhet të adresojë profesionin dhe jo monopolizimin e shërbimit (përjashtim këtu bën vetëm audimi ligjor i cili për nga rëndësia e veçantë publike, kryhet vetëm nga auditues ligjore të certifikuar). Prandaj çdo përpjekje, që synon të përmirësoje cilësinë e raportimit financiar të entiteteve të biznesit në vendin tonë, është me shumë së e mirëpritur. Rritja e cilësisë së raportimit për qëllime tatimore, duke përdorur punën e eksperteve më të mire të kësaj fushe, mendojmë se i kontribuon luftës ndaj informalitetit, për të cilin jo vetëm Qeveria por edhe i gjithë opinioni publik janë shumë të interesuar. Nëse rregullimi për një profesion kontabël, përfshirë edhe ekspertin fiskal duhet të behet/autorizohet përmes një ligji, ky i fundit duhet të jetë i thjeshtë, duke i njohur të drejtën një apo disa organizmave të caktuar për të vetë-rregulluar anëtarët e vet, siç është rasti për kontabilistët e miratuar, organizatat e të cilëve janë njohur nga ligji i auditimit dhe kanë të drejtë të rregullojnë veprimtarinë e anëtarëve, duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare.
Dëshiroj të nënvizoj se në vendin tonë ka më shumë nevojë të investohet në dy aspekte të rëndësishme, siç janë:
Prandaj, çdo organizim që merr në konsideratë të rregullojë anëtarësinë e vet dhe nuk fokusohet tek rregullimi i shërbimit përmes monopolizimit, në funksion të mbrojtjes së interesit publik, është mëse i mirëpritur. E theksoj edhe një herë, se sipas mendimit tim tendenca e monopolizimit të shërbimit nuk ndihmon dhe as i shërben rritjes së cilësisë së përgatitjes së profesionistëve të fushës kontabël apo fiskale. Sugjerimi im është që këto shërbime të bazohen në vullnetarizmin dhe liri-veprimin e individëve për t`i ofruar këto shërbime në treg, me kushtin që këta individë t`i nënshtrohen rregullimit nga një organizëm profesional që garanton besimin publik dhe reputacionin profesional. Monopolizim i shërbimit, mendoj se nuk do të bënte gjë tjetër, përveç se do të rriste koston për biznesin dhe do të dëmtonte më shumë se sa do të rriste përfitimet.
Sipas përkufizimit, kontabiliteti është procesi i regjistrimit, matjes dhe komunikimit sistematik të informacionit rreth transaksioneve financiare të entitetit, përmes pasqyrave financiare dhe së fundi, duke përfshirë edhe raportet jo financiare. Siç e tregon edhe përkufizimi, pritshmëritë në këtë fushë nuk ka gjasa të jenë të vogla. Sidoqoftë, realizimi i pritshmërive është ngushtësisht i lidhur me një ekonomi që funksionon formalisht, por padyshim edhe me reputacionin e mirë të profesionistëve. Për të garantuar cilësinë e përgatitjes profesionale, edukimi universitar cilësor duhet të pasohet me edukimin profesional dhe me avancim të njohurive mbi standardet teknike cilësore dhe të integritetit e sjelljes etike individuale dhe profesionale. Çdo përpjekje për të luftuar informalitetin është e dobishme dhe e mirëpritur, pasi informaliteti ka ndikim negativ në çfarëdo lloj ekonomie. Miratimi i ligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, mendoj së do të krijojë një bazë të mire për të luftuar informalitetin dhe për ta bërë kontabilitetin dhe raportimin financiar jo vetëm e thjesht, të detyrueshëm por edhe të dobishëm për vendimmarrjen e një numri të madh të përdoruesve, ku padyshim vendimmarrja nga vetë biznesi merr rëndësi të dorës së parë. Për sa i takon shërbimeve profesionale nga profesionistët e fushës, mendoj se gjatë vitit 2020 do të nisë një kthesë e rëndësishme duke kaluar nga shërbimet e pajtueshmërisë e të regjistrimeve tradicionale kontabël, në shërbime të tjera cilësore me natyrë interpretuese e që shtojnë vlerë për biznesin. Kështu, për mendimin tim do të shtohet nevoja për shërbime të konsulencës dhe për këshillime, në funksion të orientimit të bizneseve për ecurinë dhe zhvillimin e tyre në kushtet e reja. Teknologjia, e cila po avancon me hapa të shpejtë, për anëtarët e profesionit përfshirë këtu personat fizik, firmat e vogla e të mesme (SMP) apo edhe ato të mëdha (Big 4), është nga njëra anë një mundësi e mirë për rritjen e tyre (pasi ndikon në zgjerimin e fushës së tyre të shërbimeve profesionale) dhe nga ana tjetër, një sfidë reale, pasi profesionistët kontabël duhet të vlerësojnë kapacitetet e tyre për të ofruar shërbime të reja. Mendoj se është koha të mendohet për ristrukturime të duhura profesionale që mundësojnë shtim të vlerës për biznesin, është koha që dalëngadalë të mendojmë të largohemi nga shërbimet tradicionale kontabël, për t`u fokusuar në shërbime të reja, pasi edhe vetë bizneset po i largohen praktikave tradicionale, duke u bërë përherë e më komplekse.